Zotëron 310 milion euro pasuri, kush është biznesmeni i njohur spanjoll që ra pre e sulmit në Qeparo

Incidenti i ndodhur në jug të vendit me turistët spanjollë ka pasur jehonë edhe te mediat e huaja, kryesisht në Spanjë.

Këto të fundit zbulojnë se familja spanjolle që përjetoi tmerrin në Shqipëri nuk ishte një familje e zakonshme.

Bëhet fjalë për Eugenio Galdón, i lindur me 22 qershor të 1950 në Cartagena, i cili shpreson shumë që të harrojë një orë e më parë shijen e hidhur që i lanë pushimet e kësaj vere.

Biznesmeni i mirënjohur në Spanjë, themeluesi i ONO, ish-shefi i kabinetit të Presidencës me Adolfo Suárez dhe ish drejtori i grupeve mediatike si Prisa ose COPE, pësoi një sulm të egër ndërsa po kalonte pushimet e verës  me familjen e tij në bregdetin shqiptar.

Ngjarja ndodhi më 15 gusht. 69 vjeçari së bashku me katër anëtarët e tjerë të familjes së tij dhe dy udhëzues vendas, ndaluan jahtin e tij në Porto Palermo , një gadishull në jug të Shqipërisë. Ata shkuan në restorantin Panorama , një vend që pretendon të ketë ushqimin më të mirë mesdhetar në bregdet.

Megjithatë, burime pranë Galdón thonë se  shërbimi u vonua më shumë  sesa duhej dhe familja spanjolle zgjodhi të shkonte diku tjetër për të ngrënë.

Kjo provokoi zemërimin e pronarit të restorantit, Mihal Kokedhima , 51 vjeç, i cili doli me vrap në kërkim të Galdón.

Ai u kërkoi atyre të mos largoheshin, pasi duhej të prisnin ose të paguanin ushqimin që tashmë po përgatitej, por familja u fut në makinë dhe u largua nga restoranti.

Ishte ky moment që Kokedhima doli plotësisht jashtë kontrollit, u hodh në kofanon e furgonit Ford që po lëvizte Galdón dhe filloi të godiste xhamin. Ajo që ndodhi më pas e di mbarë opinioni publik shqiptar por ne po e risjellim sërish përmes videos.

Reagimi i autoriteteve shqiptare ishte i menjëhershëm, duke bërë arrestimin e Kokëdhimës. Një ditë më parë gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, edhe pse avokatët e cilësuan të padrejtë dhe një vendim politik të cilin paralajmëruan se do ta apelojnë. Ndërkohë edhe restoranti është mbyllur deri në mbyllje të hetimeve. Autoritetet dyshojnë se Kokëdhima nuk ka licencë ose leje për të mbyllur një pjesë të plazhit për përfitimin e tij.

Mediat kanë insistuar të kontaktojnë me Galdón, pronar i një pasurie të vlerësuar në 310 milion euro , por pa sukses. Në vend të kësaj, burime të afërta me biznesmenin tregojnë se të gjithë janë mirë dhe se duan të harrojnë sa më shpejt incidentin për të vazhduar të shijojnë pushimet e tyre.

Edhe Ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi , u takua me ta për të kërkuar falje për incidentin .

Familja pohon se “si shoferi, ashtu edhe policia vendase, autoritetet qeveritare dhe ambasada kanë treguar shumë interes dhe janë sjellur me përkushtim dhe bashkëpunim absolut. Shqipëria u pëlqen shumë dhe ata e konsiderojnë këtë si një incident i izoluar “.

 

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here