Varrit të Tutankhamunit i rikthehet shkëlqimi

Qindra vite pas zbulimit të varrit të Tutankhamunit, në të cilin ishte gjetur trupi i mumifikuar i djaloshit-mbret i varrosur para tre mijë vjetësh, ka përfunduar projekti i restaurimit dhe sanimit të dëmtimeve nga pluhuri, lagështia dhe vizitorët. Freskat në mure e në tavan po ashtu janë restauruar e janë kthyer në gjendjen autentike siç kishin qenë në kohën kur arkeologu britanik, Howard Carter, i pari hyri në këtë varrezë më 1922, transmeton Koha Ditore.

Në procesin që ka zgjatur dhjetë vjet, në mauzole janë ndërruar edhe dyshemetë prej druri, ndriçimi dhe pengesat, që do të thotë se edhe trupi i Tutankhamunit është dashur të zhvendosej.

“Është një gjë fort e çmueshme dhe ka qenë fort stresuese kur e kemi lëvizur mumien”, ka thënë Neville Agnew, drejtor për komunikim i institutit për konservim “Getty” me seli në Los Angeles, i cili ka udhëhequr punimet.

“Kam qenë fort i tmerruar”, ka thënë Agnew për procesin e ngritjes dhe të bartjes së mumies dhe arkivolit të saj 250 kilogramësh.

Varreza e lashtë në Luginën e Mbretërve është restauruar disa herë, por asnjëherë me një plan preciz e në detaje.

Konservuesit, arkitektët, ekspertët e mjedisit, fillimisht kanë bërë analizat që kanë zgjatur pesë vjet, teksa kanë konstatuar ndikimin e mjedisit sikurse edhe dëmtimet e shkaktuara prej vizitorëve në mesin e të cilave gërvishtje e grafite. “Është krijuar avull nëpërmjet frymëmarrjes së vizitorëve dhe kjo ka ndikuar edhe në varr”, ka thënë Hussein Shaboury, profesor i artit në Universitetin e Aleksandrisë, duke shtuar se aty ishte zor të merrej frymë.

“Është dashur ta ndërrojmë e ta krijojmë një metodë tjetër që në varr të hyjë ajër i freskët e ai të qarkullojë në mënyrë që ai brenda varrit të ndërrojë për 30 minuta”.

Varreza e Tutankhamunit u gjet më 1922 në Luginën e Mbretërve, jo fort larg Luksorit, në jug të Egjiptit.

Është varri i vetëm nga Mbretëria e Re e faraonëve (1550 – 1069 para erës sonë), që është gjetur i paprekur e që nuk është plaçkitur. Besohet se Tutankhamuni ka sunduar prej vitit 1334 deri më 1325 para erës sonë, në kohën e dinastisë XVIII.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here