Si të përballoni frikën, sipas Budizmit

Për budizmin, përballimi i frikës është një punë e brendshme që sillet rreth perceptimit. Kjo ndjenjë konsiderohet si një gabim në perceptim, që rezulton në imazhe fantazie dhe të tmerrshme që përfundojnë duke pushtuar mendjet tona. Rreziku nuk është jashtë, por brenda nesh.

Budistët pohojnë se frika gjen terren pjellor tek ata që zotërojnë një zemër pa dashuri. Zemërimi, zilia dhe egoizmi janë të gjitha mënyra të dëmshme për t’u lidhur me të tjerët. Ato janë forma që përmbajnë embrionin e luftës. Dhe kushdo që është në luftë, ndjen frikë.

Në parim, budistët pretendojnë se mjeti më i mirë për t’u përballur me frikën është përqendrimi i plotë në momentin e tanishëm dhe dhembshuria. Këta faktorë na bëjnë të jemi dhe të ndjehemi më të fortë dhe, si pasojë, të ndihemi më pak të frikësuar.

“Më mirë se një mijë fjalë boshe, është një fjalë që sjell paqe”.

-Buddha-

Frika dhe refuzimi i vuajtjeve

Budistët pretendojnë se thelbi i frikës është refuzimi i vuajtjes. Ata gjithashtu thonë se dhimbja është e pashmangshme, ndërsa vuajtja është me zgjedhje. E para ka të bëjë me të kuptuarit e frikës; e dyta, me pranimin e saj.

Frika e vuajtjes vjen nga refuzimi i ndjenjave të pakëndshme që vijnë nga humbjet, konfliktet dhe mungesa e përkimit të dëshirave tona me realitetin. Nga ana tjetër, nuk është e detyrueshme të vuash për gjithë këtë. Vuajtja është vetëm njëra nga përgjigjet e shumta të disponueshme për ne.

Ne e pranojmë se dhimbja mund të na ligështojë, por nuk është domosdoshmërisht të jetë kështu. Për t’u marrë me frikën, duhet gjithashtu të dijmë se si të merremi me dhimbjen. Ajo humbet shumë nga forca e saj kur e pranojmë dhe e lëmë të rrjedhë. Humbet edhe më shumë kur kërkojmë dhe gjejmë mësimin që përmban.

Për t’u përballur me frikën, duhet përqëndrohemi në të tashmen

Në një mënyrë apo në një tjetër, frika lëviz mes të kaluarës dhe së ardhmes. Në të kaluarën, kur mbetemi të lidhur me përvojat që na kanë shkaktuar frikë dhe kanë lënë një shenjë të thellë, e ku ne vazhdojmë të rikthehemi. Këtu qëndron frika se mos e njëjta gjë na ndodh përsëri.

Diçka e ngjashme ndodh me të ardhmen. Shpesh na frikëson sepse imagjinojmë ose supozojmë që do të na sjellë vështirësi ose situata të dhimbshme. Ne ndjehemi të vegjël para të nesërmes dhe kjo na frikëson.

Kjo është arsyeja pse budizmi këmbëngul që një nga mënyrat për të trajtuar frikën, është që të përqëndrohemi në të tashmen, këtu dhe tani. Ndërgjegjësimi nuk lejon që mendja jonë të mbushet me fantazitë që përfundojnë duke ushqyer frikën e padobishme.

Kapja është burimi i frikës

Paqja mendore dhe shpirtërore është e kundërta e kapjes fort pas diçkaje. Për ne perëndimorët është e vështirë të kuptohet, pasi që e gjithë logjika jonë sillen rreth të pasurit. Term që i referohet jo vetëm mallrave materiale, por edhe atyre afektive ose shpirtërore. Ne gjithashtu kur flasim themi “të kesh” dashuri ose “të kesh” paqe, etj.

Budizmi është një filozofi që synon shkëputjen nga të paturit, përmes të mos kapurit pas diçkaje. Me fjalë të tjera, të kuptojmë se asgjë nuk na takon neve, as vetë jetës sonë. Çdo gjë që vjen në jetën tonë dhe gjithçka që jemi, është vetëm një realitet kalimtar.

Kur kjo nuk kuptohet, lind ndjenja e kapjes dhe me të, frika e humbjes. Kjo është një nga frikërat më të forta, sepse ushqen një rreth vicioz. Lidhja më e madhe është më e frikshme; dhe më shumë frikë, më shumë lidhje. Të pranuarit se gjithçka është kalimtare na bën shumë më pak të frikësuar.

Ikja nuk është kurrë një zgjidhje

Për budizmin, të gjithë janë zotër i vetvetes dhe gabimet janë pjesë e mësimnxënies. Kur gjërat nuk pranohen në këtë formë, shpirti fillon të mbushet me frikë dhe ankth. Është sikur të kesh një hesap të pambyllur.

Kur një gabim injorohet dhe nuk mëson prej tij, situata që e gjeneroi do të tentojë të përsëritet. Dhe në këtë rast që dikush përjeton një lloj mungese kontrolli mbi jetën e vet. Kjo natyrisht nxjerr në pah frikën dhe ndjenjën e dobësisë.

Parimet budiste për t’u marrë me frikën përkthehen në ushtrime komplekse që duhen mësuar përmes praktikës, durimit dhe vazhdimësisë. Në pjesën më të madhe, ato bien ndesh me shumë skema perëndimore dhe prandaj nuk janë të lehta për t’u asimiluar. Por nëse e gjeni veten në një gjendje frike të shpeshtë, mund të jetë shumë e dobishme për t’i thelluar ato. / Mente meravigliosa – Bota.al

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here