Si e “hëngri” Brexit-i, kryeministren Theresa May

Nga Therese Raphael

Kryeministrja Theresa May, ishte dikur popullore. Ajo periudhë mund të jetë e vështirë për t’u kujtuar, por është e vërtetë. Vetëm 3 vjet para se partia e saj politike ta detyronte largohej, ajo cilësohej nga politikanët dhe qytetarët, si zgjedhja më e mençur për të udhëhequr daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Pastaj erdhi realiteti i Brexit dhe ngërçi politik, të cilin ajo nuk ishte në gjendje ta zgjidhte. Historia do ta gjykojë me këtë dështim, që ka thelluar ndarjen kombëtare dhe e ka tronditur thellë qendrën e politikës britanike. Por nuk është e drejtë të vlerësohet trashëgimia e May, pa analizuar faktorët që ajo i kishte dhe ato që nuk i kishte në dorë.

Kur kryeministri David Cameron dha dorëheqjen, pas shokut që shkaktoi referendumi Brexit në vitin 2016, mendohej se atë do ta pasonin politikanët karizmatikë si Boris Johnson. Por Johnson u tërhoq, pasi u tradhtua nga një tjetër përfaqësues i vijës së ashpër pro Brexit, Michael Gove, që e akuzoi për mungesë karakteri.

Tani ish ministri i Jashtëm, është pretendenti kryesor për të zënë vendin e May. Aso kohe May nuk ishte një zgjedhje e qartë, por u bë shpejt popullore në muajt që pasuan referendumin. Në gushtin e vitit 2016, ajo kishte mbështetjen e 48 për qind të të gjithë votuesve, përkundrejt 36 për qind që ishin kundër.

Pas referendumit, udhëtoi në mbarë vendin, dhe sidomos tek votuesit e goditur nga vitet e masave shtrënguese, dhe të zhytur në vështirësi nga globalizimi, si dhe hendeku zgjerues midis aftësive të tyre, dhe kërkesave të sotme në një vend pune. Ata e vendosën Brexit-in si prioritet, dhe May e pa si detyrën e saj t’i dëgjonte.

Çfarë ndodhi me atë premtim? Në zgjedhjet e vitit 2017, ajo shpresonte të arrinte një fitore të thellë, që do të forconte pozitat e saj për Brexit në shtëpi dhe në Bruksel. Ministrat e qeverisë u mënjanuan, pasi fushata u fokusua më pak tek Partia Konservatore, dhe më shumë mbi udhëheqjen e saj “të fortë dhe të qëndrueshme”.

Por fushata kërkon një nivel lidhshmërie që zonjës May i mungonte, dhe këtë e shfrytëzoi kundërshtari i saj laburist, Jeremy Corbyn. Pas fushatës së saj të tmerrshme, Partia Konservatore humbi shumicën e saj parlamentare. Ajo u detyrua të ndërmerrte vendimin fatal për të hyrë në një koalicion me Partinë e Unionit Demokratik, 10 deputetët irlandezë të të cilit, do të mbanin më vonë peng planin e qeverisë së saj mbi Brexit.

Por dy kontribues të rëndësishëm në problemet e saj, ishin të pavarura nga zgjedhjet e 2017-ës: vota e Brexit përçarëse në vetvete, dhe udhëheqja plot të meta dhe stili komunikativ i zonjës May. Publiku ruajti një pjesë të admirimit të tij të hershëm për kryeministren May, teksa ajo po përpiqej të arrinte miratimin e marrëveshjes së saj mbi Brexit, por në fund përkrahja u zhduk.

Në fund të muajit mars të këtij viti, 65 përqind e britanikëve kishte një mendim negativ për të. Por të lodhur me të, nuk ishin vetëm britanikët. Udhëheqësit e BE-së, mezi arrinin ta fshihnin pakënaqësinë e tyre.

Rënia e May ndodhi pjesërisht sepse pikat e saj të forta – vendosmëria, besnikëria ndaj partisë së saj, aftësia për t’i rezistuar presionit – rezultuan të ishin gjithashtu dobësitë e saj. Vijat e kuqe të zonjës May –lënia e tregut të përbashkët dhe e bashkimit doganor – u hoqën përpara se të kuptoheshin pasojat, dhe nuk u korigjuan asnjëherë, çka bëri që ajo të bënte 3 premtime që nuk ishin të negociueshme dhe kolektivisht të paarritshme.

Ajo premtoi të respektojë Marrëveshjen e Premtes së Mirë të vitit 1998, e cila i dha fund 30 viteve dhunë sektare në Irlandën e Veriut, dhe krijoi një kufi të hapur me Irlandën; të nxjerrë Britaninë nga unioni doganor; dhe të trajtojë Irlandën e Veriut jo ndryshe nga pjesa tjetër Britanisë. Ajo mundi të mbante 2 premtime, por jo që të treja.

Edhe pse asnjë kryeministër i pasluftës, nuk është përballur me një sfidë kaq të madhe ekonomike, politike dhe kushtetuese, vendimet e mëdha të zonjës May ishin të konceptuara

keq. Nën presionin e madh të partisë së saj, ajo evokoi nenin 50 të traktatit të BE-së, që nisi numërimin mbrapsht të daljes nga BE-ja.

Kjo u bë para se të fillonin përgatitjet e vërteta për daljen, dhe para se qeveria të kishte menduar atë që dëshironte të arrinte, dhe të vendoste atë që ishte e mundur. Fushata zgjedhore e vitit 2017, harxhoi disa muaj të vlefshëm që duhej të ishin shpenzuar për negociata dhe planifikim.

Gabimi i pafalshëm i saj, ishte dështimi për t’i rezistuar mbështetësve të Brexit, të cilët e shtynë vazhdimisht në pozita të papërshtatshme negociuese. Këmbëngulja e saj, se “asnjë marrëveshje, është më e mirë se sa një marrëveshje e keqe”, mund të ketë qenë e justifikueshme si një taktikë në fazat e hershme të bisedimeve, por nuk qe kurrë e besueshme.

Ajo normalizoi shpresën e rreme në mesin e shumë votuesve, se largimi nga BE pa asnjë marrëveshje, mund të bëhet pa pasoja të rënda ekonomike. Dështimi i saj për t’i sfiduar dhe rezistuar përfaqësuesve të vijës së ashpër, e la zbuluar ndaj akuzave se ajo çmonte më shumë unitetin e partisë mbi interesin kombëtar, dhe në fund i minoi që të dyja.

Diskutimi se ku gaboi May, është më shumë sesa thjesht i natyrës akademike. Konservatorët, janë përçarë mes tyre prej vitesh, sidomos mbi Evropën. Konflikti mbi marrëdhëniet e Britani-BE, i ka dhënë fund karrierës së çdo lideri, që nga koha kur Margaret Theçëri dha dorëheqjen në vitin 1990.

Por partia arriti të ishte pragmatike në kohë krize, dhe gjeti mënyrën si t’i mbajë nën kontroll ndarjet e mëdha ideologjike. Qeverisja e zonjës May, i thelloi më tej ato. Zgjedhjet e reja, mund të jetë pranë. Dhe pavarësisht dramës së muajve të fundit, negociatat më të vështira se si vendi do të largohet nga BE, vetëm sa kanë nisur.

Gjatë 2 apo më shumë viteve të ardhshme, Britania e Madhe do të negociojë marrëdhëniet e ardhshme tregtare me fqinjin më të afërt, partnerin më të madh tregtar dhe aleatin historik. Partia Konservatore, jo vetëm që duhet të vendosë se kush do ta udhëheqë, por më e rëndësishmja, se çfarë vlerash mbron dhe mbështet.

“Bloomberg Views” – Bota.al

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here