Riaktivizim i rrugës ballkanike për emigrantët klandestinë, rrezik terrorizmi

Samiti i Policive të vendeve ballkanike i mbajtur sot në Romë jep alarmin se riaktivizim i rrugës ballkanike të trafikut të emigrantëve klandestinë shton preokupimin e rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar në këtë rajon e në të gjithë Evropën.

U mbajt sot në Romë konferenca e përbashkët e Drejtorive të Policisë së vendeve të rajonit të Ballkanit ku mori pjesë dhe Drejtori i Përgjithshëm i policisë shqiptare, Ardi Veliu.

Të pranishëm ishin dhe përfaqësuesit më të lartë të agjencive evropiane Frontex Interpol, Europol e Selec.

Në fokus të këtij takimi ishte puna për hartimin e një strategjie të përbashkët të parandalimit e të luftës kundër kriminalitetit të organizuar në rajonin e Ballkanin e shtrirjen e tij në Itali e Evropë.

Gjatë takimit me gazetarët italianë e të huaj, ku ishte e pranishme dhe RTV Ora, kreu i policisë italiane Franko Gabrielli u shpreh se tre temat qendrore të diskutimeve të këtij takimi ishin: lufta kundër kriminalitetit të organizuar, terrorizmi ndërkombëtar e trafiku i qenieve njerëzore.

“Për Bashkimin Europian e në veçanti për Italinë, vendet e Ballkanit  kanë një interes të veçantë. Gjatë javëve të fundit  ndryshe nga çfarë po ndodh në Mesdhe ku kemi një reduktim të dukshëm të fluksit të emigrantëve klandestinë që mbërrijnë në Itali, kemi verifikuar një riaktivizim të rrugës ballkanike për trafikun e qenieve njerëzore, dhe pse jo në shifrat e madhësitë që mori në fund të vitit 2015 e në 2016. Ky fenomen i lidhur me ngjarjet e humbjes e rrëzimit të Kalifatit, pra shtetit islamik, paraqesin një motiv preokupim për sigurinë e këtij rajoni e të gjithë territorit të Bashkimit Europian”, u shpreh Franko Gabrielli.

Krerët e Policisë së vendeve ballkanike së bashku me agjencitë evropiane të sigurisë Interpol, Europol, Frontez e Selec, po i kushtojnë një rëndësi të veçantë monitorimit të fluksit të emigrantëve klandestinë me referim të veçantë ndaj elementëve “foreign fighters” ballanikë e jo vetëm që pas disfatës së Shtetit islamik po tentojnë të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Risia e kësaj konference ishte propozimi i Italisë për ngritjen e një Pike të vetme e të përbashkët kontakti, (Single Point of Contact), për vendet e rajonit ballkanik në shkëmbimin sa më efikas e të shpejtë të informacionit.

Kërcënimi në rritje nga krimi i organizuar që shfaqet me një fleksibilitet të lartë strukturor e drejtim transnacional, sjell që vendet ballkanike të intensifikojnë shkëmbimet e informacionit e të shpërndajnë mes tyre pasurinë informative  duke realizuar komunikime sa më të kualifikuara, efikase e të shpejta.

Sipas dokumentit final të këtij takimi, “suksesi i një takimi, neutralizimi i një grupi kriminal , siguria e një komuniteti të tërë varet nga disponueshmëria e  informacioneve të qarta e të shpejta që vihen në dispozicion.”

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here