Rama merr goditjen e fortë, e braktisin edhe të “vetët”

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, e cila deri dje ishte aleate e qeverisë së majtë ka dalë kundër vendimit të kryeministrit Rama për tarifimin e Rrugës së Kombit.

Përmes një deklarate ata i kanë kërkuar qeverisë të heqë taksën për Rrugën e Kombit dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të 11 kuksianëve të burgosur me vendim gjykate pas trazirave që ndodhën në protesdtën e së shtunës së kaluar.

Deklarata e plotë:

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në vend pas vendimit të pa konsultuar e arrogant për vendosjen e një tarife të papërballueshme për “Rrugën e Kombit”.

PDIU vëren me shqetësim përshkallëzimin dhe rëndimin e situatës dhe i bën thirrje maxhorancës:

Të heqë tarifën prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët në “Rrugën e Kombit”.

“Rruga e Kombit” nuk është biznes, por arteria kryesore që lidh dy pjesët e një kombi që padrejtësitë historike i ndanë, por që ne s’mund ti ndajmë akoma me politika të tilla, kur qytetarët e Shqipërisë paguajnë disa herë për rruget nëpërmjet pagesës së Taksës së Qarkullimit, Taks-Regjistrimi dhe Akcizë mbi karburantet. Kjo tarifë do të godiste atë që kemi më shumë nevojë rritjen e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, ku shkëmbimet e Shqipërisë me Kosovën janë rreth 140 milion euro në vit kurse të Kosovës me Serbinë janë mbi 460 milion euro në vit. Kjo tarifë do të godiste rëndë turizmin e shqiptarëve të Kosovës i cili sjell vitalizim dhe rritje të ekonomisë Shqiptare. Ky është një hap tjetër në vazhdën e pengesave që krijojmë me Kosovën, si barriera e tarifave doganore apo kriza qesharake për patatet, çimento apo specat dhe i gjithë ky absurd ndodh kur folklorizmi patriotik i pushtetarëve bërtet për Bashkim Kombëtar.

Për rrugët kombëtare duhet të vendoset një tarifë e arsyeshme në përputhje me nivelin e të ardhurave të Shqiptarëve. Për PDIU-në, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbërit” DUHET TË JENË PA PAGESË. Këto janë dy arterie që lidhin Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Por po kaq të rëndësishme janë këto dy arterie për Qarkun e Kukësit dhe Dibrës, si dy nga qarqet më të varfra të vendit dhe të pa integruara në ekonominë e vendit.

PDIU shpreh mbështetjen dhe respektin për banorët e Kukësit që i dhanë leksion klasës politike Shqiptare dhe opinionit publik, sepse qytetarët kanë të drejtë të reagojne kur arroganca e kësaj maxhorance as nuk i pyet e as nuk i informon. PDIU kërkon lirimin e 11 protestuesve nëpërmjet heqjes se intimidimit që maxhoranca po i ben Prokurorisë e Gjykatës, me rrethime Policore dhe urdhra politike.

Këta njerëz janë minimalisht siç e pranon dhe Kryeministri, viktima të mosinformimit nga qeveria të një vendimi aspak profesional e transparent.

PDIU i bën thirrje klasës politike shqiptare për një pakt kombëtar e dakortësi të munguar në këtë tranzicion të gjatë për:

– Integrimin europian me një axhendë të dakortësuar nga të gjithë.

-Implementimin e reformës në drejtësi ku politika duhet ti mbajë duart larg.

-Për një ligj të ri për referendumet, që do ti mundësonte qytetarëve të ushtronin demokracinë direket e të vendosnin për taksat, ambientin, planet urbane etj.

Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje në kushtet kur demokracia me përfaqësim nuk është funksionale dhe është uzurpuar nga kryetarët e partive.

-Për reformën elektorale që mbahet peng nga dy partitë e mëdha.

 

Burimi: albeu.com

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here