Monodrama “Dome”, premiera e janarit për artdashësit e kryeqytetit

Monodrama “Dome” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku vjen premierë mbrëmjet e datave 12 dhe 13 janar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Dome” është një monodramë e shkruar enkas për aktorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Shkrimi i saj është produkt i një vëmendjeje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme.

Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin.

Në këtë monodramë autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, pardoni, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Muzika e maestro Haig Zacharian është një ndër elementet gjithashtu të çmuara të kësaj shfaqjeje që do të jetë në skenë dy mbrëmje me radhë për publikun e teatrit.

Në jetën artistike të teatrit si autor dhe regjisor Stefan Çapaliku është një emër i vlerësuar për aktivitetin e tij. Edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ai ka sjellë vepra që kanë përcjellë mesazhe, dhe këtë herë vjen me një monodramë që do të interpretohet nga një aktori i njohur si Enver Hyseni. /atsh/

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here