Momçillo Gavriç: Historia e pabesueshme e ushtarit më të vogël në Luftën e Parë Botërore

Momçillo Gavriç ishte ushtari më i ri në Luftën e Parë Botërore. Ai lindi më 1 maj 1906, në një fshat pranë qytetit të Loznicës në Serbinë perëndimore, si fëmija i 8 nga 11 gjithsej. Në fillim të luftës së madhë në gushtin e vitit 1914, ushtarët austro-hungarezë i ekzekutuan prindërit, dhe 7 nga vëllezërit e motrat e tij, gjatë një bastisje që e rrafshoi tërësisht fshatin e tij.

Ai mbijetoi sulmit, dhe u largua për të kërkuar ndihmë. Vrapoi drejt Divizionit të Gjashtë të Artilerisë së ushtrisë serbe, që në atë moment ishte vendosur në malin Guçevo pranë fshatit të tij. Ai u pranua nga divizioni si një jetim lufte, dhe si kujdestari i tij u caktua ushtari Millosh Misoviç.

Djali tregoi vendndodhjen e austro-hungarezëve atë mbrëmje, dhe iu dha mundësia e kontrollit të goditjes së njërit prej topave, gjë që u cilësua si një akt hakmarrjeje personale për shfarosjen e familjes së tij. Ai u quajt “Biri i Divizionit”. Pas asaj ngjarje, ai mori pjesë në Betejën për Malin Cer, e cila nisi më 15 gusht 1914 dhe zgjati plot 9 ditë.

Ishte fitorja e parë zyrtare e aleatëve të luftës, dhe ku u rregjistrua edhe luftimi i parë ajror në atë luftë. Ajo betejë pati më shumë se 15.000 ushtarë të vdekur, dhe 50.000 të tjerë të plagosur dhe të kapur rob në të dy kampet. Humbjet e ushtrisë austro-hungareze, ishin shumë më të mëdha se sa kundërshtari serb, dhe të mbijetuarit u dërguan sërish në Bosnjen e kontrolluar nga Austria, nga ku ishte pozicioni i tyre fillestar për pushtimin.

Pasi i mbijetoi edhe Betejës së Cerit, Momçillo Gavriç u gradua në rangun e togerit, dhe iu dha uniforma e duhur ushtarake. Në moshën 8-vjeçare, ai ishte ushtari më i ri në Luftën e Parë Botërore, dhe togeri më i ri në histori. Pas një fushate tjetër ushtarake kundër Serbisë, në vjeshtën e vitit 1915, e njohur si ofensiva Makensen, rezistenca serbe u shtyp.

Serbia u pushtua nga forcat e përbashkëta të ushtrive austro-hungareze, gjermane dhe bullgare, por qeveria dhe ushtria serbe refuzuan të kapitullonin. Alternativa ishte një tërheqje e madhe të mbetjeve të ushtrisë serbe përmes maleve shqiptare, me qëllim shkuarjen në territorin e kontrolluar nga aleatët në Greqi, në dimrin e vitit 1915.

Ngjarja historike shpesh njihet si “Golgota ​​Shqiptare”, e cila ilustron tmerret e tërheqjes më këmbë gjatë stinës së dimrit. Korpusi i Gavriç e kaloi Shqipërinë me shokët e tjerë të armëve, dhe për këtë iu dha një medalje trimërie si një përkujtim për përpjekjet e tij.

Pretendohet se gjatë tërheqjes kujdestari dhe miku e tij, Millosh Misoviç, u rrëzua për shkak të lodhjes dhe i kërkoi Gavric të vazhdonte pa të. Djali refuzoi dhe u ul pranë pranë mikut të tij në dëborë, një gjest që i dha Misoviç forcën për të vazhduar.

Në Selanik, Gavriç u dërgua në një program shkollor të ç’rregullt, në të cilin ai kapërceu me shpejtësi 4 klasat e arsimit fillor. Pasi ushtria serbe e rimori veten, ai u rikthye në radhët e saj, duke marrë pjesë në Betejën e Kajmakalanas në vitin 1916.

Gjatë kësaj ngjarjeje të veçantë, ai u prit nga komandanti serb, Zivojin Misiç dhe u promovua në gradën e rreshterit. Urdhri u lexua me zë të lartë në të gjithë divizionin, pasi Misiç u habit nga guximi i një djali 10-vjeçar, dhe këmbënguli që ai të shërbejë si një shembull për pjesën tjetër të trupave.

Gavriç u plagos disa herë gjatë shërbimit të tij, por vazhdoi të kthehej në llogoren e luftës, deri në fund të çlirimit të Serbisë dhe vetë luftës. Ai dëshmoi krijimin e një shteti të ri, Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë.

Pas luftës, iu dha një bursë për të studiuar në Britaninë e Madhe, si pjesë e një programi ndihme për jetimët e luftës. Gavriç përfundoi studimet në Shkollën Henru Rajt në Fejvërsham të Kentit, ku u diplomua në vitin 1921. Më pas u rikthye në Serbi dhe u bashkua me 3 vëllezërit e tij që i kishin mbijetuar luftës.

Në vitin 1929, pati një incident, pasi ai pretendoi se kishte qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë Luftës së Madhe. Oficerët refuzuan të besonin, dhe u përpoqën ta detyronin të pranonte se po gënjente. Ai nuk pranoi të tërhiqej nga pretendimi i tij, ndaj u burgos për 2 muaj e gjysmë. Duke qenë se ky incident përfshiu periudhën e tij si rekrut, pas burgut ai vazhdoi të shërbejë në ushtri për 1 vit.

Kur u largua nga ushtria, Momçillo u kthye në Beograd ku mësoi artin grafik, mori një patentë shoferi, u martua dhe gjeti një punë në fabrikën e letrës “Vapa”. Punoi atje deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur dhe u rekrutua në Ushtrinë Mbretërore Jugosllave.

Gjatë fushatës së shkurtër pas së cilës Gjermania naziste pushtoi Jugosllavinë, regjimenti i tij u kap rob, por ai arriti të shpëtonte. U vendos për një fare kohe në Beograd, duke punuar si ndihmës i një zejtari hebre që kishte arritur të shmangte për momentin dëbimin. Por në vitin 1943, Gavriç dhe punëdhënësi i tij u dërguan në kampin e përqëndrimit në Banjica, pranë Beogradit.

Megjithatë, një drejtues i policisë, i cili ishte bashkëpunëtor i nazistëve, i shprehu lëvdatat e tij për heroin e vogël të Luftës së Madhe, dhe vendosi ta lirojë atë. Duke qenë i favorizuar, ai i dha Gavriçit dënimin e tretë menjëherë pas luftës, kur ai vetë u akuzua për bashkëpunim nga regjimi i sapoformuar komunist.

Fatmirësisht, arriti të shmangë persekutimin, duke e kaluar në paqe pjesën tjetër të jetës së tij. Vdiq në Beograd vitin 1993, në moshën 87 vjeçare. Për Momçillo Gavriç u ngrit një përmendore në ishullin e Korfuzit në Greqi, dhe së fundmi një monument tjetër në Beograd. Gjithashtu, një rrugë në qytetin e Loznicës mban emrin e tij.

Burimi: WarHistory Online

Në shqip nga bota.al

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here