Historia e festës së Ditës së Verës

Dita e Verës zanafillën e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit në Elbasan për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore.

Në Elbasan e në Peqin festohet edhe Nata e Verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here