BOOM: Komuna Perondi dha me qira një fshat të tërë, fermerët në konflikt

Hije të forta dyshimi ngrihen mbi ankandin për dhënie me qira të tokave në fshatin Goraj të ish-komunës Perondi në Kuçovë  në vitin 2012 , i cili ka futur në konflikt një fshat të tërë.

Një person i panjohur në këtë zonë është shpallur fitues për tokat me qira për 99 vjet, ku 7 vite më pas Njësia Administrative Perondi përmes një shkrese zyrtare deklaron se për të nuk disponon asnjë dokument njoftimi nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Banorët, të cilët janë shpallur fitues në ankandin e dytë për të njëjtën sipërfaqe, e për të cilin është bërë edhe shpallja e njoftimit publik, konform rregullave, denoncojnë në “BOOM”:

Banorja: Kam fituar tokat 99 vjet me ankandin dhe jam në kontradita shumë të mëdha, tokat mi ka marrë një person tjetër  që nuk e dimë se nga është.

Banori: Këtë tokë 54 dynym  e kemi marrë si fis i Luzanjakëve ,edhe aty u nda. Unë mbolla ullinj 200 rrënjë .Këta të tjerët thanë si vëllezër po e mban dot, mbaje. Kam mbjellë gati 1200 rrënjë ullinj. Kur e kam marrë me ankand unë ishte bordi, ka qenë kryeplaku ynë i fshatit, Sefer Domi edhe ka thënë: “Keni konflikte, se po patët konflikte, kjo tokë nuk jepet ”. Jo, tha ai, nuk ka konflikt. E morëm dhe siç e shikoni tani këtu me firmë e me gjithçka. Kur kam bërë atë ,  ishin 500 vetë. 

Pastaj, pas dy-tre muajsh vajta për të lidhur kontratën, nuk vjen nesër tha ai se ashtu më doli një punë. Iku dhe nuk u duk më, për 4 muaj e kam kapur. Kemi konflikt sot e kësaj dite . 8 vite ky muhabet. Ky ulli ka 20 vjet që është mbjellë. Kam qenë emigrant. Tërë pasurinë time e kam hedhur tek ata ullinj. Rexhep Hajdëri ka bërë një krim të madh në Goraj që në asnjë vend të Republikës të Shqipërisë nuk bëhet, ish-kryetari i komunës. I kam dhënë 40 hektarë tha, jo 60 hektarë. Këtë e ka bërë Enveri tha me shokët e tij.Enveri ishte agronom.

Banori: E kemi shfrytëzuar këtë tokë, e kemi mbjellë pemtari. I thamë kryetarit të komunës atëherë që ne e kemi pronë babai, e kemi marrë edhe nga Arkivi Qendror, njihet si prona jonë. Ai tha që ta gëzoni. Kur erdhi problemi i këtij personit të panjohur, që nuk është banor i fshatit, nuk e njohim. Iu lidh kontrata atij për  99 vjet . Urdhri i qeverisë, siç kemi dëgjuar, i asaj kohe të ish- kryeministrit Sali Berisha ishte të shpallej njëherë ankandi një muaj para, në qoftë se tokat ishin me ish-pronarë, duhej të pyeteshin ata.

Banori: Rexhep Hajdari, ish-kryetari i komunës, e ka shitur një fshat të gjithë. Komplet fshati është në konflikt me tokat.

Prej 8 vjetësh këta banorë ndeshen me kërcënime për të shfrytëzuar këto toka. Ata deklarojnë se gjatë vitit 2018 ju kanë dëmtuar pemtarinë, disave ja u kanë djegur e disa të tjerëve prerë.

Gazetari: 150 familje rrezikojnë tokat e tyre  të cilat janë të mbjella me vreshta, ullinj apo me kultura të tjera .

Banori: Rreth datës 18 a 20 gusht  na janë djegur gati 600 rrënjë ullinj , vetëm ne të dy si djem xhaxhallarësh në këtë parcelë që po flasim këtu .Jemi detyruar ta mbajmë pastër, ta ruajmë, ta mirëmbajmë se kemi frikë se mos na i djegin prapë, mos na i dëmtojnë .

Banori: Mua po më kërcënojnë. Mua si person, më kanë prerë mbi 200 rrënjë ullinj. Ka ardhur policia e ka parë ullirin që ka qenë me kokrra. Nuk e njohim personin.

Gazetari: Po kush të kërcënon?

Banori: Mua më ka ardhur roja.Në qoftë se nuk heq dorë, tha, unë do ta fus në burg. ( mesazhi i palës që kërcënon )

Gazetari: Pra bëhet fjalë me çfarë po shohim për një sipërfaqe të madhe?

Banori: Po, për një sipërfaqe të madhe që është e fshatit Goraj si tokë. Se nga ka ardhur ky person që na ka marrë pronat nuk i japim dot shpjegim. Shteti më mirë të na vrasë se të na  i marrë këto toka.

Emisioni “BOOM” në Rtv Ora News disponon një material audio ku denoncuesja Shqiponja Luzi, flet me ish-kryetarin e komunës që ka qenë edhe kryetar i bordit të dhënies me qira të tokave në komunën Perondi, mbi të cilin bien edhe akuzat.

Por sipas tij toka që kanë në përdorim këta banorë është jashtë hartës së tokës që i është dhënë me ankandin e parë palës tjetër. Ai  akuzon specialiste të komunës, të cilët nuk kanë kryer matjet.

Shqiponja Luzi: Me atë botin e tokave , çfarë dreqin u bë o Rexhep ?

Ish-kryetari i komunës Perondi, Rexhep Hajdari: A ishte tepër toka a ishte  jashtë , unë nuk e kuptoj.

Shqiponja Luzi: Po tani unë nuk e di, unë e mbaj mend shumë mirë kur kam ardhur atje në zyrë  ma dëfteve hartën , ja deri këtu është the , 40 dynym ka marrë the, tani  del 60 e ca dynym.

Rexhep Hajdari: Të kërkohet matja e tokës dhe ajo juaja del jashtë. Nuk di më se si e ka marrë atë ai.

Shqiponja Luzi: Po mirë, atëherë ashtu më thatë mua ju , po di unë së si nuk u lidh kontrata atëherë o Rexhep.

Rexhep Hajdari: Prisja që të bënin dokumentat bashkë me Fatmirin. Hë sot, hë nesër .Si duket ata nuk e matën dot.Duhej topograf i saktë. Mua mbase nuk më thoshin dot. Ai ka marrë edhe pjesën tuaj. Pjesa juaj ishte e ngjyrosur me të kuqe , jashtë asaj. Mua ma futën këta, Enveri , Fatmiri, sidomos Enveri.

Shqiponja Luzi: E di çfarë më tha Enveri mua ?

Rexhep Hajdari: Po?

Shqiponja Luzi: Ohu tha , e ka ngjyrosur të tërë Rexhepi tha, se Rexhepi mori leke me dëngje, nuk mora unë ,tha ai. I leu mustaqet me kecin e të ketë turp , hëngri qengj e unë i thashë ej ky po nuk ma dha me shkrim nuk do ja jap atyre.Tani , unë nuk e di se si e ke ti muhabetin me atë por më thotë ai që ohuuu ai të lan e të lyen Rexhepi por hanë e pinë bashkë me atë tha.

Rexhep Hajdari: Me kë ?

Shqiponja Luzi: Me …

Rexhep Hajdari: Unë me ….u zura që atëherë . U zura dhe më futi në sherr Enveri .Edhe po të them unë që Enveri është ai që  ka ngrënë prapa krahëve  bashkë me ata. Ça i dhashë unë ? Ça i dha kryetari i komunës pa specialistin ?Po bëja dot unë pa më dhënë Enveri dokumentat ?I kërkova shumë herë për të ndarë sipërfaqen . Enveri vinte atje, takohej me ata botët andej ose merrte lekë, ça bënte andej, por e di që vinte hante e pinte dhe asnjëherë nuk e ndanë këtë punë . Dokumentat i ka bërë Enveri dhe çfarë të tha Enveri ty që i ka bërë Rexhepi ?

Shqiponja Luzi: Rexhepi i ka bërë tha. Ai ka marrë lekë me thasë , -tha, nuk mora unë, nuk isha në punë atë kohë,tha .

Specialisti i bujqësisë në ish-komunën Perondi pohoi se firma dhe vula ishte në dorën e kryetarit të komunës.

Enver Pirra: E vërteta e këtyre banorëve të fshatit Goraj  është se kanë hyrë në procedurën e dhënies së tokës me qira. Ankandi i parë është zhvilluar në 5.03.2012 . Në këtë ankand janë paraqitur tre persona fizikë, midis të treve njeri është shpallur fitues. Pas ankandit të parë janë zhvilluar edhe tre ankande të tjera . Gjithsej janë zhvilluar katër ankande . Në ankandin e dytë zotërinjtë janë futur në ankand me pretendimin që  personi për ullinjtë që ishin mbjellë, do të tërhiqej. 

Në ankandin që janë futur fermerët që kanë këtë shqetësim janë shpallur fitues.Problemi lindi kur zotërinjve do tu mbushej kontrata. Në këtë pozicion, nuk mund të mbusheshin dy kontrata për të njejtën pasuri dhe nga ai moment e deri më sot  nuk u është dhënë rrugëzgjidhje. 

Për mua si specialist, këta nuk duhet të ishin futur fare në ankand meqenëse në këto parcela ishte shpallur një fitues. Pretendimi i këtyre është që u është thënë se personi që ka fituar do të tërhiqet për ullinjtë mbi dy vjeçarë. Si përfundim, zotëria që fitoi, nuk u tërhoq. Në këto kushte nuk mund të lidhen dy kontrata në një pasuri.

Gazetari: Ka një akuzë nga ish-kryetari i bordit, ish-kreu i komunës për ju, i cili thotë  këto pazare mund t’i ketë bërë z.Enver, pra ju.

Enver Pirra: Akuzat mund të jenë nga më të ndryshmet, nuk është kompetenca ime . Unë kam qenë thjesht një specialist. Rolin kryesor e ka patur kryetari i komisionit të dhënies së tokës me qira, jo unë. Unë nuk kam qenë fare në ankand.

Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë nuk i kthen përgjigje kërkesës së “BOOM”, ku ka parashtruar disa pyetje në lidhje me mënyrën sesi duhet të zhvillohet një procedurë ankandi.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here