Konferenca Ndërkombëtare për Skënderbeut mbledh studiues nga SHBA deri në Kinë

Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut nisi sot sesionin e tretë të kumtesave, i cili këtë herë erdhi me risi, me 40 ligjërata maratonë.

Në hapjen e këtij sesioni të pranishëm ishin mjaft figura të njohura nga fusha akademike, studiues nga vendi dhe jashtë dhe studentë të cilët shfaqën interes për këtë conference, pasi është një panoramë mjaft e qartë e periudhave ku jetoi dhe la gjurmë heroi ynë kombëtar. Këtë sesion të tretë maratonë – siç raporton atsh – e çeli kryetari i sekretariatit teknik të Vitit të Skënderbeut, Tomi Frashëri dhe më pas vijoi fjalën e tij historiani Pëllumb Xhufi.

Gjatë hapjes së konferencës Tomi Frashëri u shpreh se, “jemi vërtetë në një moment shumë të rëndësishëm të kësaj konference për nga rëndësia dhe jubileu që përjetojmë këtë vit si dhe për nga autoriteti shkencor që kjo konferencë mbulon. Kjo është konferenca më e madhe albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit, jetës dhe gjurmëve që ai la në histori”.

“Kjo konferencë pati dy momente të rëndësishme, ai i ligjëratave të cilat dhanë kontribut në shpalosjen e një hulumtimi dhe të përfundimeve shkencore nga studiues nga më të mirët në fushën e albanologjisë më specifikisht në studimet mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Do jemi akoma më të kënaqur kur këtë mision ta përmbyllim vitin e ardhshëm me botimin e plotë të ligjëratave”, tha Frashëri.

Ai shtoi se, “momenti i dytë i rëndësishëm është sesioni i kumtesave pasi studiuesit që marrin pjesë janë të afirmuar. Qeveria shqiptare ka qenë tërësisht e angazhuar në mbështetjen e realizimit të kësaj konference me një qëllim shumë specifik të lënies në dorë mbarëvajtjen e saj autoritetit shkencor”.

Historiani Xhufi u shpreh në fjalën e tij se, “ky vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut u kthye në një institucion nga qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat kanë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e kësaj konference. Kjo konferencë ka patur një rezonancë të jashtëzakonshme jo vetëm brenda vendeve tona, por që nga SHBA deri në Kinë, e cila ka dhënë kontribute të mëdha”, përfundoi historiani Pëllumb Xhufi.

Në sesionin e tretë të kësaj konference, e cila do të vijojë gjatë muajit nëntor ku do të marrin pjesë mjaft studiues të huaj dhe vendas duke sjellë studime dhe fakte mjaft interesante me ligjëratat e tyre, të cilat do e sjellin Skënderbeu jo vetëm si hero, por si një figurë shumëdimensionale dhe e pazëvendësueshme në identitetin tonë si shqiptarë.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here